Një 20-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik në vendin e punës në Itali. Rogert Ajdini, banues në Trevi, ndërroi jetë pasi mjeti i asfaltimit që po drejtonte u përmbys gjatë punimeve në një rrugë në Valtopina.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në rrugën Santa Cristina, ku i riu po punonte së bashku me kolegët e tij. Sipas informacioneve paraprake nga mediat italiane, mjeti rrafshues i asfaltit u përmbys dhe e zuri poshtë 20-vjeçarin.
Kolegët njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës, por plagët e marra rezultuan fatale. Në vendngjarje mbërritën personeli mjekësor i urgjencës 118, zjarrfikësit dhe helikopteri i emergjencës Nibbio, i nisur nga Foligno. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit, i riu nuk mundi të mbijetonte.
Ndërkohë, karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit. Shkaqet që çuan në përmbysjen e mjetit dhe mënyra se si punëtori mbeti poshtë tij janë ende nën hetim.
Lajmi për vdekjen e Rogert Ajdinit ka tronditur komunitetin e Valtopinës. Kryetari i bashkisë, Gabriele Coccia, ndërpreu qëndrimin jashtë qytetit për arsye pune dhe u kthye pas marrjes së lajmit tragjik.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, administrata bashkiake shprehu dhimbjen për humbjen e të riut dhe ngushëllimet për familjen e tij.
“Administrata bashkiake shpreh dhimbjen e saj të thellë për humbjen tragjike”, thuhet në mesazhin e publikuar pas ngjarjes.
