Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Tepelenë, ku një biznesmen italian është qëlluar për vdekje me armë zjarri.
Mësohet se viktima është Edoardo Sarchi, i datëlindjes 09.04.1981, me origjinë nga Varese, Itali. Trupi i tij është gjetur rreth orës 00:30, në vendin e quajtur “Dilan”, midis fshatrave Nivicë dhe Salari, në aksin rural që lidh këto dy zona, aty ku dyshohet se ka ndodhur dhe vrasja. Biznesmeni ka vetëm një plagë në trup.
Paraprakisht raportohet se biznesmeni italian kishte dalë për gjah së bashku me disa persona të tjerë, por në momentin kur u zbulua trupi ishte i vetëm. Personat që ishin me të janë shoqëruar në polici dhe po merren në pyetje.
Sipas informacionit zyrtar, shtetasi italian kishte rreth 25 vite që jetonte në Shqipëri, në lagjen “Laprakë” të Tiranës, dhe ishte ortak në fabrikën e tullave “Tegola Edil Centro”, në kryeqytet. Edoardo Sarchi rezulton të ketë qenë frekuentues i rregullt i zonës së Tepelenës për qëllime gjuetie.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, trupi i pajetë i shtetasit italian është gjetur rreth orës 00:30, pranë një rruge rurale. Shërbimet e Policisë janë njoftuar menjëherë dhe kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet paraprake.
Deri më tani dyshohet se në vendngjarje mund të kenë qenë dy automjete, përfshirë një tjetër me miq të tij. Por ende nuk dihet nëse ata kanë qenë realisht prezentë dhe përse nuk qëndruan në vendngjarje, nëse ishin.