Një 50-vjeçar, i cili ishte i paraburgosur, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në QSUT.

Sipas policisë, viktima është 50-vjeçari Besnik Koçiu, i cili ishte i shtruar në spital që prej datës 16 korrik. Stafi mjekësor ka raportuar se në mëngjes e ka gjetur pa ndjenja në dhomën e tij Koçiun. Pasi e kanë zhvendosur në zonën e urgjencës, është tentuar dhënia e ndihmës por pa sukses. 50-vjeçari raportohet se vuante nga diabeti, hipertensioni dhe rreth 6 muaj më parë ka përjetuar një AVC ishemik.

Koçiu ishte në hetim për veprën penale “Armëmbajtje pa leje dhe prodhim i armëve” dhe ndaj tij ishte vendosur masa e sigurisë “Arrest me burg”, për këtë aryse ai po qëndronte në burgun “313” në rrugën “Jordan Misja” në kryeqytet.

Njoftimi i policisë:

Më datë 24 korrik 2025, rreth orës 08:00, në ambientet e Urgjencës së QSUT-së, ka ndërruar jetë i paraburgosuri Besnik Koçiu, i datëlindjes 26.10.1974, i cili ishte i akomoduar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) “Jordan Misja” që prej datës 16 korrik 2025, ardhur nga Drejtoria e Policisë Tiranë.

Rreth orës 07:00 të datës 24 korrik, personeli infermieror është njoftuar se shtetasi Koçiu ishte pa ndjenja në dhomën e tij. Ai është transportuar menjëherë me urgjencë në QSUT në orën 07:08, ku ka mbërritur në orën 07:12 dhe është trajtuar nga ekipi mjekësor i urgjencës. Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, në orën 08:00 është konfirmuar ndarja nga jeta.

Shtetasi Koçiu në momentin e pranimit në institucion ka deklaruar se vuante nga Diabet Mellitus, Hipertension Arterial dhe një AVC ishemik të kaluar rreth gjashtë muaj më parë, për të cilat kishte terapi të vazhdueshme referencë për të cilën i është hapur dhe kartelë mjekësore për kryerjen e ekzaminimeve të vazhdueshme.

Shtetasi Koçiu ishte në hetim për veprën penale “Armëmbajtje pa leje dhe prodhim i armëve”.

Ngjarja është referuar menjëherë autoriteteve përkatëse.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit.