Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar përfundimisht nga detyra prokuroren e Tiranës, Miranda Bushi, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Sokol Çomo relator, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 41/2023, datë 13.09.2023, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Miranda Bushi kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 666, datë 25.05.2023.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 666, datë 25.05.2023, që i përket subjektit të rivlerësimit Miranda Bushi.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, më datë 11.11.2025, në Tiranë”,- thuhet në njoftim.

Më 25 maj të vitit 2023, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e prokurores Bushi pasi nuk arriti të justifikojë blerjen e disa pasurive të paluajtshme.

Bushi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës si dhe nuk u evidentuan probleme domethënëse për profesionalizmin.

Miranda Bushi ka punuar si prokurore gjatë periudhës 1992-1998. Më pas ajo i është bashkuar bashkëshortit në emigrim në Itali dhe në vitin 2004 ka filluar punë si kancelare e ish-Gjykatës së Krimeve të Rënda, detyrë që e ka ushtruar deri në 2008-ën. Gjatë viteve 2008-2011 ka mbajtur pozicionin e drejtores së kabinetit të Prokurorit Përgjithshëm dhe në qershor të 2011-ës u emërua sërish si prokurore në Prokurorinë e Tiranës.