Një shtetas amerikan 71-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi dyshohet se prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur. Arrestimi i David Ira Lang, i cili banonte në Shqipëri, u realizua pas një hetimi disamujor të kryer nga Policia e Shtetit, në kuadër të operacionit të koduar “Gjurma virtuale”.
Gjatë hetimeve, organet e rendit zbuluan prova të mjaftueshme që çuan në identifikimin dhe ndalimin e 71-vjeçarit, i cili dyshohet se ka prodhuar dhe poseduar materiale të tilla në territorin e Shqipërisë. Policia ka realizuar një kontroll në banesën e Lang, ku janë sekuestruar pajisje elektronike dhe materiale të tjera që dyshohet se janë përdorur për realizimin e veprimtarisë kriminale.
Ndërkohë vijojnë hetimet, pasi amerikani ishte me precedent penal në Rusi, ku kishte qenë i dënuar me 7.5 vite burg.
Policia e Shtetit vazhdon hetimet për të sqaruar më tej rrethanat e këtij krimi dhe për të marrë masat e tjera ligjore ndaj personave të përfshirë.