Një konflikt i nisur pas një zjarri të shkaktuar gjatë punimeve me eskavator ka përfunduar me një person të arrestuar dhe një tjetër nën hetim në Tiranë. Policia ka vënë në pranga 29-vjeçarin Ledjan Musteqja, ndërsa ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj një 50-vjeçari. Ngjarja është regjistruar në fshatin Kus, ku 50-vjeçari, gjatë punimeve me një mjet eskavator, dyshohet se ka këputur një tel të tensionit të mesëm.
Si pasojë e incidentit është shkaktuar zjarr, i cili më pas është përhapur në një sipërfaqe me shkurre dhe në një ullishte në pronësi të familjes së 29-vjeçarit. Pas zjarrit, situata dyshohet se ka agravuar, pasi Ledjan Musteqja ka dëmtuar automjetin e kompanisë që po kryente punimet, si edhe pajisjen GPS të instaluar në mjet.
Për rastin, policia ka kryer veprimet e para hetimore, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.
