Ditën e sotme policia ka finalizuar operacionin e koduar “Escape” për arrestimin e një shtetasi të shpallur në kërkim. Shtetasi me iniciale Gentjan Markaj 33 vjeç është arrestuar sot në Fushë Kuqe.

Markaj ka qëlluar me armë zjarri drejt një lokali në datë 31 korrik të këtij viti. Sipas njoftimit të policisë 33-vjeçari ishte shpallur në kërkim si një person me rrezikshmëri shoqërore.

Njoftimi:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Kurbin, operacioni policor i koduar “Escape”, për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri shoqërore, që ishte shpallur në kërkim.

Gjatë operacionit u kap në Fushë Kuqe dhe u vu në pranga shtetasi Gentjan Markaj, 33 vjeç, i cili dyshohet se më datë 31.07.2024, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit të shtetasit F. S, për motive të dobëta.

Për këtë ngjarje, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë i ka caktuar shtetasit G. M., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.