Një 37-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë sot në kryeqytet, pasi akuzohet se është pjesë e një rrjeti shpërndarësish të lëndëve narkotike.

Bëhet e ditur se i arrestuari është Spartak Alushi.

Policia e Tiranës konfirmoi aksionin dhe bëri me dije se gjatë arrestimit në flagrancë dhe kontrollit të të dyshuarit, u gjetën doza lëndësh narkotike kokainë dhe heroinë, që u sekuestruan si prova materiale.

Operacioni u kodua “Flash”, duke goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forca e Posaçme “Shqiponja”, ndërsa arrestimi u krye në zonën e njohur si “Rruga e Dibrës”.

“Sipas hetimeve paraprake, i dyshuari siguronte lëndët narkotike dhe i shpërndante në doza të vogla, të cilat më pas i shiste në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht në këtë aks rrugor”, thanë burime zyrtare.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Flash”, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara për një rast të shitjes së lëndëve narkotike. Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 37-vjeçari që shiste lëndë narkotike Kokainë dhe Heroinë. Sekuestrohen sasi të lëndëve narkotike Heroinë dhe Kokainë, të ndara në doza, gati për shitje, të cilat iu gjetën 37-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, ka organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, operacionin policor të koduar “Flash”.

Gjatë operacionit, u kap në flagrancë në Rrugën e Dibrës dhe u arrestua shtetasi:

-S. A., 37 vjeç, banues në Tiranë.

Gatë kontrollit, shërbimet e Policisë i gjetën shtetasit S. A., sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Heroinë, të ndara në doza, gati për shitje. Ky shtetas dyshohet se siguronte lëndë narkotike dhe i ndante në doza, të cilat i shiste në zona të ndryshme, kryesisht në Rrugën e Dibrës.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”.