Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit në një njësi shërbimi në fshatin Xhyrë, pranë aksit nacional Librazhd–Përrenjas. Sipas njoftimit nga MZSH Librazhd, zjarrfikësit janë njoftuar rreth orës 03:29 dhe kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje.
Operacioni për shuarjen e flakëve ka përfshirë dy automjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë, të cilët kanë arritur të kontrollojnë zjarrin dhe të parandalojnë përhapjen e tij. Si pasojë e flakëve, është djegur plotësisht një kioskë në pronësi të Skënder Gegës, nga fshati Xhyrë, si dhe dy automjete të parkuara pranë saj. Po ashtu, janë shpëtuar dy kioska të tjera dhe një automjet që ishte afër vatrës së zjarrit.
Burime nga MZSH kanë njoftuar se shkaku i zjarrtë nuk është përcaktuar ende, por dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme janë të mëdha. Mes automjeteve të djegura është edhe një mjet me targa greke, që i përkiste një emigranti të kthyer në vendlindje për festat e fundvitit.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka pasur viktima ose të lënduar. Policia e Shtetit ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
