Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Gjirokastër, ku një student 21-vjeçar, Simon Sholla, është gjetur i vdekur në ambientet e konviktit të shkollës së mesme private “Kryqi i Nderuar”. Shokët e tij të dhomës, të cilët kishin menduar se ai po flinte, kanë vënë re shenja të vdekjes dhe kanë njoftuar menjëherë autoritetet.

Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Sipas informacioneve të para, pranë trupit të të riut janë gjetur ilaçe depresioni dhe dyshohet se ai mund të ketë konsumuar sasi të tepërta të tyre, duke shkaktuar vdekjen.

Hetimet vijojnë për të sqaruar shkaqet e vdekjes dhe për të verifikuar nëse ka pasur faktorë të tjerë të përfshirë.