Një operacion i Policisë së Lezhës ka çuar në arrestimin e një 43-vjeçari, i cili dyshohet se kishte kthyer lokalin e marrë me qira në bazë për përpunimin dhe fshehjen e lëndëve narkotike. I identifikuar si Krenar Berisha, alias Krenar Shabani, ai u kap në flagrancë gjatë aksionit të ndërmarrë nga DVP Lezhë, forcat “Shqiponja” dhe Komisariati i Lezhës.

Sapo ka vënë re patrullat, 43-vjeçari ka tentuar të largohet me biçikletë dhe ka hedhur një çantë në lumin Drin, por pas një ndjekjeje disa minutëshe, forcat policore kanë arritur ta arrestojnë dhe të rikuperojnë çantën, brenda së cilës u gjetën doza kanabisi të gatshme për shitje.

Kontrollet e mëtejshme në lokalin që ai përdorte zbuluan një çantë tjetër të fshehur, ku ndodheshin qindra doza kanabisi të ndara për shpërndarje. Materialet hetimore i janë kaluar Prokurorisë së Lezhës për procedurat e radhës.