Një 59-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë në Itali, pasi është qëlluar me armë zjarri në kokë.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në Fontaniva, teksa shqiptari është identifikuar si Fatos Cenaj. Mediat italiane shkruajnë se disa shoferë vunë re një person të shtrirë në tokë dhe menduan se kishte pësuar aksident rrugor, pasi pranë kishte dhe biçikletën e tij.
Pasi mbërriti ekipi mjekësor, u konstatua se 59-vjeçari kishte një plagë në kokë të shkaktuar me armë zjarri. Ai u dërgua menjëherë në spital, ndërsa sipas mediave italiane gjendja e 59-vjeçarit është kritike. Autoritetet po punojnë për të zbardhur shkaqet e ngjarjes së rëndë. Sipas mediave, shqiptari Fatos Cenaj ka punuar më parë si gardian burgu.



