Mjeku Julian Habibaj, 53 vjeç, është arrestuar nga efektivët e Komisariatit Nr. 3 në Tiranë për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Ai ushtronte detyrën në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe është kallëzuar nga kryeinfermierja e spitalit, e cila ka raportuar se pas një kërkese për të plotësuar një protokoll për një paciente, mjeku e ka kundërshtuar dhe ofenduar. Situata është përshkallëzuar, dhe mjeku ka kapur për fyti kryeinfermieren, duke i shkaktuar shenja të dukshme dhune.

Burimet bëjnë me dije se ndaj mjekut Habibaj kishte 11 shkelje disiplinore të regjistruara për sjellje të papranueshme brenda stafit, ndërsa kjo është hera e parë që ai është kallëzuar në polici për veprime dhune. Policia ka nisur hetimet për të sqaruar të gjitha detajet e ngjarjes dhe për të marrë masat përkatëse.