Gjykata Administrative në Francë ka vendosur të shfuqizojë vendimin për dëbimin e shtetasit shqiptar Fatjon Salihi, i cili ishte deportuar drejt Shqipëri më 23 shkurt 2026 nga autoritetet e prefekturës së Jurës.

Sipas mediave lokale franceze, vendimi i gjykatës është marrë më 5 mars dhe anulon të gjitha masat administrative të vendosura ndaj tij. Megjithatë, familjarët e Salihit ende nuk kanë një përgjigje të qartë se kur dhe në çfarë mënyre ai do të mund të rikthehet në Francë.

Dëbimi i tij kishte shkaktuar reagime në komunitetin ku jetonte, pasi shqiptari ishte larguar duke lënë në Francë bashkëshorten dhe dy fëmijët e vegjël, 6 dhe 4 vjeç. Ai kishte gjithashtu një kontratë të përhershme pune në sektorin e ndërtimit, ku mbante detyrën e drejtuesit të kantierit.

Salihi dhe bashkëshortja e tij, Berina Salihi, kishin mbërritur në Francë në vitin 2021. Ai punonte në kompaninë e ndërtimit RP Routes, ku me kalimin e kohës kishte marrë përgjegjësi më të mëdha deri në pozicionin e shefit të kantierit, një profesion për të cilin sektori i ndërtimit shpesh përballet me mungesë punonjësish.

Familja jetonte në Andelot-en-Montagne, Francë. Çifti ka dy fëmijë: djali 6-vjeçar i lindur në Shqipëri dhe vajza 4-vjeçare e lindur në Francë.

Sipas Arnaud Dulong, përfaqësues i shoqatës Accueil Jurassien Intercommunautaire de Réfugiés (AJIR), e cila po asiston familjen, vendimi i gjykatës është pozitiv pasi rrëzon të gjitha masat e vendosura ndaj Salihit. Këto përfshijnë detyrimin për të lënë territorin francez, ndalimin e rikthimit në Francë, refuzimin e një afati për largim vullnetar si dhe masën e qëndrimit të detyruar.

Megjithatë, sipas tij, procesi nuk është përmbyllur ende dhe mbetet e paqartë se kur shqiptari do të mund të kthehet pranë familjes së tij.

Ndërkohë, ai theksoi se dy fëmijët e familjes nuk flasin shqip, gjë që tregon përpjekjet e tyre për t’u integruar në shoqërinë franceze. Salihi ka gjithashtu familjarë që jetojnë prej kohësh në Francë, përfshirë një motër që ka marrë shtetësinë franceze.

Ende nuk është e qartë nëse shqiptari ka marrë pasaportën e tij, e cila sipas raportimeve mund të jetë dorëzuar nga autoritetet franceze tek autoritetet shqiptare.