Një shofer i linjës së transportit ndërkombëtar Sarandë – Athinë është dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg, pasi është kapur një vit më parë me rreth 3.4 gram kokainë në pikën e kalimit kufitar Qafë-Botë. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Sarandës për 52-vjeçarin Vasillaq Vasili, i cili ndodhet në paraburgim prej 18 nëntorit 2024.
Rreth orës 19:00 të asaj dite, sipas dosjes hetimore, punonjësit e policisë kanë konstatuar një shtetas, i cili sapo kishte hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës doganore Qafë-Botë, së bashku me mjetin që drejtonte, tip furgon “Mercedes Benz”.
Teksa është bërë kontrolli i mjetit së bashku me personin, janë gjetur një çantë tip marsup, të cilën e kishte me vete, 6 mbështjellje në formë doze me plastmas, brenda të cilave kishte material pluhuri me ngjyrë të bardhë si ajo e lëndës narkotike e llojit “kokainë”, si dhe një peshore elektronike, me mbishkrimin. Më pas, është ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku nuk i janë gjetur sende të jashtëligjshme. Pas peshimit të lëndëve të dyshuara si narkotike, ato rezultuan me peshë totale (së bashku me ambalazh) 3.83 gramë kokainë.
I dyshuari gjatë marrjes në pyetje deklaroi: “Për sa i përket lëndës narkotike, unë jam përdorues i kokainës prej shumë vitesh dhe për sa i përket sasisë rreth 6 doza, i kam blerë në Athinë te një person të cilin nuk e njoh personalisht.
Lëndën narkotike e bleva kundrejt vlerës 80 euro, për arsye se në shtetin shqiptar ku unë jetoj, kushton më shtrenjtë. Këtë sasi të lëndës narkotike e konsumoj për një periudhë 12 ditore, në varësi të gjendjes psikologjike që ndodhem. Në lidhje me peshoren që është gjetur në çantën time, dua të them se është harruar nga personi që ma ka shitur, pasi e peshoi lëndën narkotike përpara se të ma shiste.”
Ekspertimi i mëvonshëm toksikologjik, doli në përfundimin se në mostrën e urinës së të dyshuarit u zbulua prania e produkteve të metabolizmit të kokainës, duke vërtetuar faktin që ai ishte përdorues, ndërsa peshimi neto i lëndës së sekuestruar rezultoi në 3,329 gramë. Ekspertët arritën të këqyrnin edhe aparatin celular të 52-vjeçarit, por nuk rezultuan të dhëna me interes për hetimin.
Pavarësisht këtyre fakteve, Gjykata vendosi ta dënojë 52-vjeçarin Vasillaq Vasili me 5 vjet heqje lirie për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, e dënoi atë përfundimisht me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie, e cila duhet të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.