Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Mlizë në Njësinë Administrative Gjinar, Elbasan, ku një 39-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht, pasi u rrëmbye nga rrjedha e përroit që kalon pranë fshatit.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, ndërsa Ilia Tahiri dyshohet se po kalonte urën në momentin kur u mor nga prurjet e shtuar të ujit. Pasi ai nuk u kthye në shtëpi në drekë, familjarët dhanë alarmin dhe nisën kërkimet përgjatë shtratit të përroit.

Pamjet e kamerave të disa bizneseve pranë zonës kanë fiksuar momentet kur Tahiri është rrëmbyer nga rrjedha e fuqishme e ujit, duke ndihmuar grupet e kërkimit në përcaktimin e drejtimit të lëvizjes së trupit.

Kërkimet kanë vijuar gjatë gjithë natës nga ekipet e zjarrfikësve dhe strukturat e emergjencave civile të Elbasanit. Trupi i pajetë i të ndjerit është gjetur mëngjesin e sotëm, rreth 1 kilometër larg urës ku dyshohet se ndodhi aksidenti.