Një 53-vjeçar ka humbur jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po trajtohej prej disa ditësh pasi mbeti i plagosur në një aksident rrugor të ndodhur në fshatin Funarës të Librazhdit.

Aksidenti ndodhi pasditen e së hënës, kur automjeti i drejtuar nga shtetasi Besnik Laçku doli nga rruga në rrethana që po hetohen dhe u përplas me pemë. Si pasojë u plagosën drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri, Luan Çota, 53 vjeç. I plagosuri u transportua fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku nuk arriti t’u mbijetojë dëmtimeve të marra.

Ndërkohë drejtuesi i automjetit rezultoi nën efektin e alkoolit pas verifikimeve të kryera nga autoritetet. Policia dhe grupi hetimor vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.