Një punonjës i Forcave të Armatosura ka përfunduar në Spitalin e Traumës pasi është dëmtuar gjatë aksionit për shuarjen e flakëve në Mirditë.
Sipas burimeve paraprake i plagosur ka mbetur 28-vjeçari Andrea Kaçi, i cili ka marrë plagë në kokë dhe aktualisht po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore në gjendje stabël. Sipas të dhënave paraprake, incidenti ka ndodhur teksa po furnizohej me ujë një automjet zjarrfikës i angazhuar në operacion. Gjatë procesit, ka plasur një tub me diametër 120 milimetra, i pajisur me kokë metalike. Presioni ka shkëputur pjesën metalike, e cila ka goditur efektivin duke i shkaktuar dëmtime.
Kujtojmë se vatrat e fundit të zjarreve në Mirditë rezultuan se ishin të qëllimshme, pasi një 62-vjeçar u kap në flagrancë duke i ndezur.
