Një ngjarje e rëndë është shënuar në Lushnje, ku Arens Monka, 37 vjeç, dyshohet se është vetëplagosur aksidentalisht me një armë zjarri, të cilën e mbante pa leje.

Fillimisht ai ka pretenduar se ishte dëmtuar me një mjet prerës, por hetimet zbuluan se ngjarja kishte ndodhur brenda automjetit të tij, ku ndodhej edhe arma.

Policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë, Igli Monka dhe Florjon Veliu, të cilët dyshohet se fshehën automjetin ku ndodhi ngjarja. Gjatë kontrollit, u sekuestruan fishekë dhe një predhë arme zjarri.

Hetimet janë ende në vijim për të zbardhur plotësisht ngjarjen.

Njoftim i Policisë:

Pas njoftimit të spitalit të Lushnjës, se një shtetas i dëmtuar në këmbë, kishte shkuar për të marrë mjekim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë nisën hetimet dhe si rezultat i tyre, zbardhën rrethanat e rastit. Në përfundim të veprimeve hetimore u vunë në pranga, shtetasi i dëmtuar, A. M., 37 vjeç, si dhe vëllai i tij, shtetasi I. M., 33 vjeç, dhe shoku i tij, shtetasi F. V., 40 vjeç.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 37-vjeçari është vetëplagosur aksidentalisht, në automjet, me një armë zjarri, të cilën e posedonte pa leje. Për të penguar zbulimin e së vërtetës, ky shtetas ka deklaruar në spital, se është dëmtuar aksidentalisht me mjet prerës. Aktualisht, ky shtetas është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

2 shtetasit e tjerë u arrestuan sepse dyshohet se kanë fshehur automjetin ku u vetëplagos shtetasi A. M., si dhe kanë mbështetur deklaratën e rreme të tij.

Gjatë kontrollit në automjetin e gjetur nga Policia, u gjetën dhe sekuestruan 2 fishekë dhe 1 predhë armësh zjarri.

Në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, po punohet për të dokumentuar me prova ligjore, të gjitha rrethanat e këtij rasti.