Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në burgun e Fushë-Krujës, ku i paraburgosuri Qani Hamit Muça është gjetur i vetëvarur në tualetin e dhomës ku qëndronte.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:34 në sektorin 2, kati i dytë të godinës B, ku Muça ishte i vendosur bashkë me pesë persona të tjerë. Sipas burimeve, një nga të paraburgosurit ka vënë re që Qani Muça po vonohej dhe, pasi ka hapur derën, e ka gjetur atë të varur në grilën e dritares së tualetit.

Menjëherë janë njoftuar autoritetet e burgut, ndihmës-mjeku, si dhe organet hetuese, përfshirë Prokurorinë e Krujës dhe Shërbimin për Kontrollin e Brendshëm në Burgje. Hetimet për ngjarjen kanë nisur rreth orës 04:00.

Qani Muça ishte 57 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë. Ai ishte arrestuar më 12 gusht 2024 për akuzat tentativë për vrasje të një zyrtari shtetëror dhe mbajtje pa leje të armëve. Në burgun e Fushë-Krujës ishte transferuar nga burgu “Jordan Misja” në shtator të vitit të kaluar.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbuluar rrethanat e sakta të ngjarjes.