Ndërsa brenda Kuvendit të Shqipërisë po zhvillohet seanca plenare, ku pritet të hidhet në votim Reforma Territoriale, jashtë godinës situata është tensionuar mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Protestuesit e mbledhur në zonën pranë Kuvendit janë përplasur fizikisht me efektivët, duke shtyrë kordonin e policisë dhe duke tentuar të rrëzojnë barrierat e vendosura rreth perimetrit të godinës.
Për të shpërndarë turmën dhe për të rikthyer kontrollin e situatës, policia ka përdorur gaz lotsjellës.
Ndërkohë, një protestues është shoqëruar nga policia në grupimin që ndodhet pranë Xhamisë së Namazgjasë. Bëhet fjalë për shtetasin Ilir Tusha.
Gjatë protestës, në zonë ka kaluar edhe një ambulancë. Protestuesit janë tërhequr për t’i hapur rrugë mjetit të emergjencës, duke lejuar kalimin e tij pa pengesa.
