policia greke ka arrestuar Sotitaq Kolezin, një shtetas shqiptar 38-vjeçar nga Bilishti, i dyshuar për vjedhjen e më shumë se 100,000 portofolave kriptovalutash, vlera e të cilëve mund të arrijë në miliona euro. Kolezi u arrestua pas një operacioni ndërkombëtar të koordinuar nga Europoli, ku është zbuluar se ai kishte akses në një numër të madh portofolash që i përkisnin viktimave të shumta.
Faza e fundit e këtij operacioni përfshiu çmontimin e një rrjeti të sofistikuar kriminal kibernetik. Ky operacion u fokusua në disa mjete të avancuara sulmi, duke përfshirë Trojanin VenomRAT, një program që mundësonte akses në distancë, dhe botnetin Elysium, i cili ka luajtur një rol kyç në shpërndarjen e software-it të dëmshëm.
Ky rrjet i sofistikuar ishte përgjegjës për sulme kibernetike ndaj qindra mijëra viktimave në mbarë botën, duke përdorur mjete të avancuara për të vjedhur të dhënat dhe pasuritë digitale të përdoruesve të kriptovalutave.
Operacioni “Endgame”, i koordinuar nga Europol dhe Eurojust, është një përpjekje e përbashkët midis autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe atyre gjyqësore në Greqi, Australi, Belgjikë, Kanada, Danimarkë, Francë, Gjermani, Lituani, Holandë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara për të luftuar ata që promovojnë programe keqdashëse.
Këto veprime të koordinuara çuan në:
– Një arrestim në Greqi (më 3 nëntor)
– Kontrolle në 11 lokacione (një në Greqi, një në Gjermani dhe 9 në Holandë)
– Ndërprerja ose mbyllja e më shumë se 1,025 serverave në të gjithë botën
– Sekuestrimi i 20 domeneve të internetit.
Rrjeti i programeve keqdashëse i çmontuar përbëhej nga qindra mijëra kompjuterë të infektuar që përmbanin disa miliona të dhëna të vjedhura. Shumë prej viktimave nuk ishin në dijeni se sistemet e tyre ishin shënjestruar.
