Juxhin Koka, 31 vjeç, është ekstraduar nga Spanja dhe do të dalë para Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda (GJKKO) për t’u njohur me masën e sigurisë. Koka akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe vjedhje të 200 mijë litra naftë nga një anije që ishte ankoruar në portin e Durrësit në janar të këtij viti.
Sipas SPAK, Koka dhe disa persona të tjerë, përfshirë kapitenin e anijes, Mohammad Sallit, oficerin e parë të anijes, Nedio Mejdani, dhe marinarët e anijes, kanë realizuar një veprimtari kriminale të kontrabandës dhe vjedhjes. Koka është i akuzuar për korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike, kontrabandë me mallra që paguhet akcizë, dhe vjedhje kryer në bashkëpunim.
Në muajin shkurt, GJKKO i ka caktuar Kokës masën e sigurisë “Arrest në burg” për këto akuza. Hetimet zbuluan se Juxhin Koka dhe Drilon Malluta i ofruan 10,000 euro një polici të portit, Armand Marvataj, për të lejuar nxjerrjen e sasisë së naftës së sekuestruar nga anija. Pjesa e parave që polici kishte marrë si ryshfet u sekuestrua në banesën e tij.
Nafta kontrabandë u nxorr nga anija më 27 janar 2025, në bashkëpunim me ekuipazhin e anijes, përfshirë Samir Bayoumy, inxhinier i tretë dhe përgjegjës teknik i anijes, si dhe marinarët Hasan Broud, Sami Shanata, Faez Ismaeil, Wissam Rostom dhe Abdoulmohaimen Shanata.
Njoftimi:
Interpol Tirana/Vijon operacioni policor ndërkombëtar, i koduar “The Wanted”.
Akuzohet nga SPAK, se në muajin shkurt, 2025, korruptoi punonjësit e Policisë dhe vodhi, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, 200 000 litra naftë nga një anije e ankoruar në portin e Durrësit, ekstradohet nga Spanja, 31-vjeçari.
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale, ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të Interpol Madridit, u finalizua në kuadër të operacionit “The Wanted”, procedura për ekstradimin nga Spanja, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Juxhin Koka, 31 vjeç.
Në muajin shkurt, 2025, GjKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
