Policia ka arrestuar një tjetër person të dyshuar për përfshirjen në vrasjen e biznesmenit në Elbasan, një ngjarje që shkaktoi tronditje në qytet disa ditë më parë.
I arrestuari është 33-vjeçari Nevzat Spaho, i cili u kap në Prrenjas. Spaho ka një të kaluar kriminale dhe dyshohet se ka qenë ekzekutori i përdorur për të kryer vrasjen, duke qëlluar me armë viktimën.
Burime të afërta me hetimet bëjnë të ditur se arrestimi i Spahos ka ardhur pas një periudhe intensive ndjekjeje dhe verifikimesh nga ana e Policisë së Shtetit. Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe po vazhdojnë për të zbardhur motivet e vrasjes dhe për të identifikuar personat e tjerë të dyshuar që mund të kenë marrë pjesë në këtë krim.
Policia po vijon me kontrolle dhe hetime për të kapur të dyshuarit e tjerë dhe për të zbuluar detaje të reja mbi organizimin dhe arsyet e pas vrasjes.
