Policia e Krujës ka identifikuar një banesë në fshatin Zall, Fushë Krujë, ku ka sekuestruar një arsenal armësh shpërthyese, armë zjarri dhe municion luftarak, si dhe lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa.
Pas operacionit, është identifikuar dhe shpallur në kërkim poseduesi i këtyre armëve dhe lëndëve narkotike, Ylli Zalla.
Policia po vijon hetimet dhe kërkimet për kapjen e tij, ndërsa po kryhen veprime të tjera për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aktiviteti kriminal.
NJOFTIMI:
Arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni luftarak, si dhe lëndë narkotike janë zbuluar në fshatin Zall, të Fushë Krujës.
Uniformat blu kanë shpallur në kërkim poseduesin e tyre, shtetasin me iniciale Y.Z., 49 vjeç.
Policia sekuestroi:
-24 kallëpë tritoli, 11 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpë dinamiti;
-27 djegore;
-3 armë zjarri, krehra dhe pjesë armësh;
-2 silenciatorë, 9000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
-6 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa;
-uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim shtetasi Y. Z., 49 vjeç, i cili nga hetimet e para dyshohet se është poseduesi i tyre.
Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.
Ndërkohë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifkimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
