Partia Socialiste ka shpallur zyrtarisht Altin Bojnin si kandidatin e saj për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie. Vendimi u mor në një mbledhje të zgjeruar të Asamblesë së PS-së në Mat, ku dhe u prezantua Bojni si kandidat.
Kryetari lokal i PS-së, Hasan Pasha, bëri një analizë të rezultateve të 11 majit, ku PS siguroi 60% të votave kundrejt 36% të Partisë Demokratike. Ndërsa deputeti Agron Malaj nënvizoi rëndësinë e konsolidimit të strukturave dhe ndikimin pozitiv të investimeve qeveritare në rritjen e besimit të qytetarëve, duke theksuar nevojën për një fushatë të fortë për të fituar bindshëm.
“Thellimi i fitores është rezultat i punës së strukturave dhe investimeve konkrete nga qeveria Rama në këtë zonë. Tashmë është koha për të përforcuar terrenin dhe për të fituar bindshëm më 9 nëntor,” u shpreh Malaj.