Humbja e disa mallrave me vlerë të konsiderueshme që ishin nën sekuestro nga SPAK nën dyshimin se ishin pa akcizë çoi në nxjerrjen e një urdhërarresti për Eno Agasin.
Bëhet fjalë për një koleksion verash me një vlerë që mund të shkojë miliona euro, i gjetur në një shtëpi në periferi të Tiranës nga një aksion i BKH pas kontrolleve me autorizim të Gjykatës së Posaçme, pasi u godit një grup kriminal për manipulimin e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. SPAK ka dyshime se përmes kantinës dhe koleksionit të verërave mund të ketë edhe elementë për pastrim parash.
Pasi u konstatua se për këto verëra nuk ishin paguar detyrimet fiskale dhe pasi u inventarizuan, do të sekuestroheshin në një moment të dytë. Por të nesërmen ambienti u gjet i boshatisur dhe serveri i kamerave i fshirë. Për këtë, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë një urdhër arresti për Eno Agasin, kushëririn e Ergys Agasit.
Në fillim të javës, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi masën arrest shtëpie për drejtoreshën e AKSHI-t, biznesmenë dhe një efektiv të lartë të Policisë. Kështu, Mirlinda Karçanaj u la në arrest shtëpie, pasi akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, e kryer në bashkëpunim nga grupi kriminal. E njëjta masë u aprovua edhe ndaj zëvendësdrejtoreshës Hava Delibashi, ndaj së cilës adresohen të njëjtat vepra.
Ndërsa për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erjon Ismailaj, gjykata ndryshoi qëndrim, duke i hequr masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit, por duke i lënë atë të pezullimit nga detyra. Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Gjykata la në fuqi masën arrest me burg ndaj Ergys Agasit me akuzat: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Arrest me burg u konfirmua edhe për Ermal Beqirin, i cili akuzohet nga SPAK për: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.






