Policia ka zbardhur sherrin e dhunshëm të ndodhur 11 gusht, në rrugën “Gjolekë Kokona”në Tiranë, ku dhe u qëllua me armë zjarri. Sipas njoftimit, Sipas policisë, u arrestuan shtetasit Rezar Zaimi, Kevin Kocibellinj, Stiven Fezollari dhe Rolf Fezollari dhe u shpallën në kërkim Frenki Fezollari dhe Cercis Brahimllari. Katër persona të tjerë, të përfshirë në konflikt, janë proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi.
Hetimet zbuluan se konflikti nisi pasi Rolf Fezollari kishte fyer një 17-vjeçar. Pas kësaj, i mituri dhe disa miq të tij janë përfshirë në një konflikt fizik me R. F., vëllain e tij S. F. dhe persona të tjerë që ndodheshin me ta. Më pas, 17-vjeçari dhe miqtë e tij kanë shkuar me motomjete pranë banesës së dy vëllezërve. Sipas Policisë, nga banesa dyshohet se F. F. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të motomjeteve. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur persona të dëmtuar.
Njoftimi i policisë:
Zbardhen përfshirja dhe rrethanat e konfliktit ndërmjet disa shtetasve, rreth mesnatës së datës 11 gusht, në rrugën “Gjolekë Kokona”, Tiranë, ku dhe u qëllua me armë zjarri.
Menjëherë pas njoftimit se disa shtetas ishin përfshirë në një konflikt në rrugën “Gjolekë Kokona”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 shkuan në vendngjarje për të përcaktuar shtetasit e përfshirë në konflikt, përgjegjësitë e tyre, si dhe rrethanat e rastit.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Situata”:
-u arrestuan shtetasit R. Z., 28 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”; K. K., 31 vjeç, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe S. F., 24 vjeç dhe R. F., 34 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
-u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, 4 shtetas gjithashtu të përfshirë në konflikt;
-u shpallën në kërkim shtetasit F. F., 32 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe C. B., 32 vjeç, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi i arrestuar R. F. ka fyer një të mitur të proceduar në gjendje të lirë. Si pasojë, 17-vjeçari dhe miq të tij janë konfliktuar fizikisht, me shtetasin R. F., vëllanë e tij, shtetasin S. F., dhe me miq të këtyre të fundit. Më pas, i mituri dhe miqtë e tij kanë shkuar me motomjete, te banesa e vëllezërve, nga ku dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të motomjeteve, vëllai tjetër i tyre, shtetasi i shpallur në kërkim, F. F., pa dëmtuar askënd.
Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
