Avokati i Altin Ndocit ka folur për mediat pas shtyrjes së gjyqit për dosjen “Plumbi i Artë”, për shkak të arratisjes së klientit të tij. Avokati Aldo Shkëmbi sqaroi se seanca nuk mund të zhvillohet deri në momentin kur të deklarohet fakti nëse klienti i tij i fshihet apo jo drejtësisë. Avokati tha se nuk ka pasur komunikim me Altin Ndocin, as para arratisjes së tij dhe as pas.
“I pandehuri duhet të njoftohet për procesin që po zhvillohet ndaj tij, duke qenë se edhe në seancat e mëparshme ai është njoftuar dhe ka shprehur vullnetin të përfaqësohet nga unë dhe nga kolegia, znj. Zotaj. Në kushtet e mungesës së një deklarate nga i pandehuri për seancën e sotme, për të respektuar parashikimet ligjore që lidhen me njoftimin e të pandehurit në rastet kur ai është në kushtet e kufizimit të lirisë, kur nuk gjendet apo kur është i lirë, dhe për të arritur në pikën ku duhet të deklarohet fakti nëse i pandehuri fshihet apo jo nga drejtësia, gjykata detyrimisht duhet të shtyjë seancën, në mënyrë që të kërkojë informacion më të detajuar nga Policia e Shtetit lidhur me kërkimet që po bëhen për shtetasin Altin Ndoci.
Paraprakisht, ky është një proces i gjatë dhe ka vite që zhvillohet, prandaj nuk kam komunikuar me klientin. Pozicioni ynë është i konsoliduar dhe klienti ka pasur besim se do të bëjmë mbrojtje efektive. Ne nuk kemi pasur dijeni përpara në lidhje me veprimet ose mosveprimet e tij, as pas. SPAK dhe institucionet ligjzbatuese po bëjnë verifikimet përkatëse për largimin e shtetasit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit. Unë personalisht, si mbrojtës, kam shumë kohë që nuk e kam takuar, pasi nuk ka qenë e nevojshme. Kemi pasur marrëdhënie formale dhe profesionale me klientin, pa kontakte fizike ose telefonike”, tha avokati i Altin Ndocit.
Ndoci akuzohet nga SPAK për vrasje, pjesëmarrje në grup kriminal etj. Ai është në gjykim si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë” për masakrën e Bradasheshit, ku mbetën të vrarë vëllai i Erion Alibejt, Endrit Alibejt, xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri, dhe një shtetas turk.
Altin Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, ndërsa u arratis të martën nga spitali infektiv i Durrësit, ku kishte shkuar për një vizitë mjekësore, i shoqëruar nga punonjësit e policisë së Burgut të Durrësit.


