Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot rubrikën “SY më Sy”, nga Berlini ku po merr pjesë në Panairin ndërkombëtar të Turizmit.
Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet pyetjes së një qytetari, i cili kërkonte të dinte se cili ishte burimi i energjisë së kryeministrit. Rama tha se energjinë më të madhe e gjen tek hakmarrja, duke shtuar se të huajt dhe një pjesë e shqiptarëve e kanë poshtëruar Shqipërinë për dhjetëra e dhjetëra vite. Ai u shpreh se donte të hakmerrej për këtë duke e ulur vendin në tryezën e Bashkimit Evropian.
“Veç hidros kemi edhe diellin. Energjinë më të madhe e di ku e gjej, tek hakmarrja, dua të marr hak, të marrim hak, na kanë poshtëruar shumë gjatë, na kanë poshtëruar të huajt, tanët, me dhjetëra e dhjetëra vite, tani është koha të marrim hak, e di është fantastike, të marrim hak duke u ulur në tryezën e BE, njësoj me të tjerët dhe duke bërë për lezet atë shenjën, gropë kemi në fund fare si për mua që jam dy metra, si për ty.”- tha Rama.