Një histori dashurie e mbushur me shpresë dhe plane për një jetë të re në Europë mori fund në mënyrën më tragjike në Shkodër. Sandra Saporito, një grua amerikane 53-vjeçare, u vra nga partneri i saj, Brendon Saporito, 57 vjeç, vetëm pak javë pasi kishin nisur një udhëtim të gjatë nëpër Ballkan.
Çifti kishte lënë pas jetën në SHBA më 24 mars, duke e shitur makinën e fundit dhe duke nisur një kapitull të ri në Shqipëri. Me qenushen e tyre Harvey, ata mbërritën në Tiranë më 27 mars dhe kaluan ditë të mbushura me përjetime pozitive. “Kemi rënë në dashuri me Tiranën”, shkruante Sandra më 30 mars, duke ndarë foto të ngrohta nga Piramida dhe Parku i Liqenit.
Por mëngjesi i sotëm solli një lajm tronditës: në një dhomë me qira në Shkodër, Brendon vrau Sandrën dhe më pas tentoi të vetëvritej duke prerë damarët, por mbijetoi me plagë të lehta. Policia ka konfirmuar se ai ishte në gjendje të dehur në momentin e arrestimit.
Dëshmitë në rrjetet sociale e portretizojnë çiftin si të dashuruar, plot energji pozitive, të gatshëm për të ndërtuar një jetë të re në Ballkan. Shkodra ishte ndalesa e tyre e radhës, por u kthye në fundin dramatik të një aventure që nisi me ëndrra dhe mbaroi në një krim makabër.











