Mbështet dënimin me vdekje dhe kritikon FMN-në, OKB-në dhe demokracitë perëndimore
Duke folur në një samit ndërkombëtar, Kryeministri i Turqisë kritikoi ashpër një numër të madh organizmash ndërkombëtarë duke përfshirë FMN-në dhe OKB-në dhe duke bërë thirrje për reformim të tyre, argumentoi se dënimi me vdekje në disa raste mund të jetë “i ligjshëm”.
Duke hequr dorë nga diplomacia, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se në rastin e vrasësit norvegjez, Anders Breivik, vetëm dënimi me vdekje mund të ishte një vendim i drejtë.
Duke folur në Forumin për Demokraci në Bali të Indonezisë, Erdogan kritikoi OKB-në si të paaftë për të zgjidhur disa probleme si Siria dhe konflikti Izrael-Palestinë. Ai shtoi se Fondi Monetar Ndërkombëtar jep receta “të hidhura” për zgjidhjen e problemeve ekonomike në botë.
“Unë i pyeta ata, se isha kurioz. Si mundet që dikush që ka vrarë 77 vetë të dënohet me 21 vjet burg? Më thanë se ai [Breivik] nuk do të dalë më nga burgu dhe se diçka do të gjendet në fund të 21 viteve për ta mbajtur në burg edhe 21 vjet të tjera”.
“Por si mund të jem i sigurt për këtë?”, pyeti Erdogan veten. “Po, dënimi me vdekje u hoq në Europë, por i la në Amerikë, Japoni dhe Kinë. Për rrjedhojë është një kauzë e justifikueshme që dënimi me vdekje të mbetet”. Ai argumentoi se vendimi për Breivik nuk u ofroi familjeve të viktimave kompensim dhe lehtësim. “Unë nuk besoj se ato [familjet e viktimave] janë në paqe kur dikush që vret 77 vetë mundet thjesht të ecë përqark lirisht”.
Kryeministri kritikoi ashpër edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kush është efikasiteti i OKB-së përtej Këshillit të Sigurimit? Çdo gjë vendoset nga pesë vendet e përhershme anëtare në këshill. Nëse njëri prej tyre vë veton, nuk mund të gjendet asnjë zgjidhje”, tha ai. “OKB-ja nuk ka qenë e aftë të zgjidhë problemin Izrael-Palestinë. Është e paaftë të vendosë për Somalinë apo Miamarin. Kur do të veprojë OKB-ja në rast se nuk zgjidh dot këto çështje?”, tha ai.
Sipas tij, formulat e ndihmës së Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk janë efikase dhe përbëjnë receta “të hidhura” duke kujtuar eksperiencën që Turqia ka pasur me FMN-në. Ai kërkoi që edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, si dhe Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim OECD, duhet të reformohen menjëherë.