Një ngjarje e rrezikshme është regjistruar në zonën e Ksamil, ku dy turistë ukrainas kanë shpëtuar mrekullisht pasi rrezikuan të mbyteshin në det, si pasojë e përkeqësimit të menjëhershëm të motit.

Sipas informacioneve paraprake, mjeti lundrues me të cilin po udhëtonin është përfshirë nga erëra të forta dhe ka nisur të fundosej, duke vënë në rrezik jetën e tyre.

Menjëherë është kërkuar ndërhyrja e Policisë Kufitare, ndërsa falë reagimit të shpejtë të efektivëve të Njësia Speciale Delta, turistët janë nxjerrë në kohë nga uji dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Autoritetet po monitorojnë situatën, ndërsa në zonë janë raportuar kushte të vështira detare për shkak të motit të keq.

“Ksamil/U rrezikuan të mbyteshin në det, Policia Kufitare shpëton dy turistë ukrainas

Shërbimet e Njësisë Speciale Delta, të planizuara me shërbim në mbështetje të Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, kanë ndërhyrë me profesionalizëm dhe në kohë për t’i ardhur në ndihmë dy turistëve ukrainas, të cilët rrezikuan jetën në det për shkak të përkeqësimit të motit.

Gjatë patrullimit në zonën e Ksamilit, efektivët konstatuan një mjet lundrues tip skaf, i marrë me qira nga turistët, që po fundosej si pasojë e erërave të forta dhe kushteve të rënduara atmosferike. Në bord ndodheshin dy shtetas ukrainas.

Menjëherë, efektivët e Njësisë Speciale Delta ndërhynë duke bërë të mundur shpëtimin e dy turistëve, të cilët fatmirësisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Aktualisht po punohet për nxjerrjen e mjetit lundrues në breg.

Policia Kufitare mbetet e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe turistëve në hapësirat detare të vendit”, shkruan Policia.