Deputeti socialist Erion Braçe, teksa foli për gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në raportin vjetor të vitit 2024, zbuloi edhe disa nga detajet pikante të shkeljeve apo sjelljes prej të forti të inspektorëve të drejtorive shtetërore, kryesisht në Dogana dhe Tatime.

Konkretisht ai solli rastin e një kontrolli të Tatimeve dhe gjobës së “majme” që i kishin vendosur një biznesi të vogël në periferi të Tiranës, jo pak, por 8,2 mln lekë të vjetra për 15 kilogramë gjizë që i gjetën pa faturë tatimore. Deputeti vlerësoi se KLSH kishte bërë gjetje të rëndësishme në shumë raste, duke nxjerrë në pah qasjen deri abuzive të drejtorive të caktuara.

“KLSH sjell në vëmendje disa problematika dhe çështje, e në radhë të parë klientelizmin si në Doganë, pasi cenon edhe sigurinë e operatorëve në treg me evazionin fiskal. Duke favorizuar disa dhe nxjerrë nga tregu disa të tjerë. E njëjta gjë vlen edhe për Tatimet, si gjetje e KLSH-së, por ajo që vjen në evidencë ka të bëjë me borxhin, që po rritet shumë më shpejt se masa e arkëtimit brenda një viti. Por më i madh bëhet shqetësimi kur tatimorët e organeve tatimore dalin jashtë sistemit elektronik të inspektimit, si kamerat apo GPS dhe kjo evidentohet.

Dhe organet fiskale, e kanë këtë qasje dhe sjellje, sillen egër, shumë fortë me të dobëtin dhe mungojnë në drejtoritë më të rëndësishme thuhet në raportin e KLSH. Sjell në vëmendje këtë akt konstatimi apo gjobe. Një biznes, në Tiranë, në periferi të saj, do e lexoj se më ka bërë shumë përshtypje: në momentin e kontrollit rezulton se nuk lëshon faturë tatimore për gjizë në shqip, në shifrën 229 lekë për njësi, në sasinë 15 kilogramë. Dhe gjoba është 822 mijë lekë të reja, ose 8,2 milionë lekë të vjetra. E kjo vetëm për 15 kile njomëz apo gjizë”, u shpreh Braçe, duke publikuar nga foltorja e Kuvendit dokumentin e raportit, të cilin e lexoi para ligjvënësve në sallë.