Deputeti socialist Erion Braçe, i përlotur gjatë fjalës së tij në Parlament për aksidentin tragjik të dielën në Durrës, e cilësoi ngjarjen jo si një aksident, por si një vrasje me dashje.
“Dy familje përcollën sot në lot fëmijët e tyre. Kush ka fëmijë e di se çfarë do të thotë të humbasësh shpirtin e një të vogli. Një tjetër ishte në betejë për jetën dhe tani po përballet me një traumë të rëndë emocionale. E gjitha kjo për shkak të një krimi, jo për shkak të një aksidenti apo shkeljeje të rregullave të qarkullimit,” tha Braçe, duke shtuar se ka kërkuar ndryshime në Kodin Penal dhe Rrugor, pasi sipas tij ligji aktual normalizon një krim të tillë.
Deputeti kritikoi ashpër mënyrën si trajtohen drejtuesit e dehur. “Një i dehur ndalohet, shoqërohet, shkon në paraburgim, por shpesh lirohet pas dy ditësh, i hiqen vetëm disa pikë nga patenta dhe gjobitet. Nëse ka para, mund të paguajë dhe gjithçka mbyllet. Ky është sistemi që normalizon dhunën rrugore. Banorët e dinë se këta persona janë të fortë në lagje, që dehen dhe mund të vrasin njerëz. Kjo nuk është thjesht shkelje e rregullave, kjo është vrasje.”, tha deputeti.
Ai theksoi se ndryshimet ligjore janë të domosdoshme. “Gjëja e parë që duhet të bëjmë është të ndryshojmë Kodin Penal, duke e formuluar qartë si vrasje me dashje kur një person dehur hyn në rrugë dhe rrezikon jetën e të tjerëve.”, tha Braçe në Kuvend.
