Kryebashkiaku i pezulluar i Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar lirinë në Apelin e GJKKO, duke vënë në dyshim vlefshmërinë e “provave të reja” të dorëzuara nga SPAK. Sipas burimeve, Veliaj ka ngritur pyetje mbi standardin e drejtësisë, duke e krahasuar çështjen e tij me sulmet e ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj Prokurorisë së Posaçme.
“Më izoluat 1 muaj në burg që të gjenit ‘prova të reja’. Saliu e ofendoi SPAK dhe e akuzoi si organizatë kriminale, çfarë e gjeti? Pse nuk u konsideruan prova të reja sulmet e Berishës ndaj SPAK?”, është shprehur Veliaj gjatë seancës.
Sipas Report Tv ai ka argumentuar se arrestimi i tij ka qenë i pabazuar dhe politikisht i motivuar, ndërsa ka kërkuar që gjykata të shqyrtojë me objektivitet rrethanat e çështjes. Ndërkohë, Apeli i GJKKO pritet të marrë një vendim mbi kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë.
Më 10 shkurt 2025, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ai akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, e cila po hetohet në gjendje të lirë për të njëjtat akuza, si dhe për mosdeklarim pasurie.
Arrestimi i Veliajt erdhi pas një hetimi të SPAK mbi pasurinë e tij dhe të familjarëve, përfshirë kontrolle në banesën e tij, ku u sekuestruan dokumente dhe materiale të ndryshme. Hetimi ka zbuluar transaksione të dyshimta dhe lidhje me kompani të përfshira në tendera publikë, duke ngritur dyshime për përfitime të paligjshme gjatë ushtrimit të detyrës së tij si kryebashkiak i Tiranës.
Ndërkohë, Veliaj ka mohuar akuzat, duke e cilësuar arrestimin e tij si një sulm politik. Ai ka kërkuar lirimin nga burgu, ndërsa Apeli i GJKKO pritet të shqyrtojë kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë.