Efektivët në foto janë Erixhon Senko dhe Francesko Hoxha, dy policët të cilët i shpëtuan jetën një gruaje 59-vjeçare në ujërat e Bunës.
Gjatë një patrullimi rutinë, Senko me origjinë nga Gramshi ka vënë re gruan në gjendje të rënduar psikologjike duke u hedhur në lumë me qëllim vetëmbytjen. 26-vjeçari është futur menjëherë në ujë dhe ka notuar drejt saj, duke arritur ta nxjerrë në kohë dhe t’i shpëtojë jetën. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar lidhur me ngjarjen, ku shprehet se dy profesionistët e rinj të Policisë së Shtetit në Shkodër, zgjodhën të vepronin pa hezitim për të shpëtuar një jetë.
“Erixhon Senko dhe Francesko Hoxha, dy profesionistë të rinj të Policisë së Shtetit në Shkodër, që falë ndërhyrjes së tyre të menjëhershme, i shpëtuan jetën një gruaje në ujërat e Bunës. Në ato çaste kur çdo sekondë bën diferencën, ata zgjodhën të veprojnë pa hezitim, duke vënë jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar një tjetër. Ky është misioni më i lartë i uniformës: të jesh aty kur qytetarët kanë më shumë nevojë. Krenar për ju! Shembulli juaj është dëshmi e qartë se shërbimi ndaj qytetarëve nuk është thjesht detyrë, por thirrje dhe guxim”-shkruan ministri.


