Erjon Alibej ka deklaruar se do të dëshmojë ndaj Xhuljano Hoxhës dhe Euglen Halilit.  

Kujtojmë se Hoxha dhe Halili po gjykohen për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj.

Këto dy vrasje akuzohet se i ka urdhëruar Alibej, por çështja për të u tërhoq nga SPAK, pasi Nuredin Dumani e implikoi dhe në krime të tjera.

“Jam i gatshëm të flas, por në një moment të dytë. Më ka ndodhur një problem familjar,”- mësohet të ketë thënë Alibej. 

Erjon Alibej është akuzuar zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për porositjen e të paktën dy vrasjeve, atë të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.

Ai u vu në pranga pas rrëfimit të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe mikut të tij, Henrik Hoxha. Ata folën për drejtësinë duke zbërdhyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Krimet më të shumta Nuredin Dumani ka rrëfyer se i ka bërë me Talo Çelën, por edhe me Hoxhajn, i cili u arrestua në të njëjtën natë më të. 

Alibej dyshohet të jetë edhe porositësi i vrasjes së efektivit Krenar Guçe, i cili ka mbajtur detyrën e Shefit të Seksionit të vrasjeve në Policinë e Elbasanit në vitet 2019-2020, si dhe të ketë gisht në vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, i ekzekutuar në Bradashesh.

Erion (Andrea) Alibej (Dylgjeri) e ka nisur fillimisht si trafikant kokaine, kur ishte 27 vjeç, në Itali. Bashkëpunimin e kishte me të vëllanë, Endrit Alibejn, me të cilin u kap në vitin 2013. Endriti ishte koka e grupi që përbëhej nga 12 shqiptarë, por me vrasjen e tij, Erion Alibej nuk e kishte më prioritet trafikun e kokainës, por hakmarrjen.

Ai nisi një valë vrasjesh e përplasjesh për të marrë hakun e të vëllait që iu vra në Bradashesh vetëm dy ditë para ndërrimit të viteve, në dhjetor të vitit 2018.

Bashkë me Endrit Alibejn mbeti i vrarë edhe xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durnay. Ata ishin kthyer për festat e fundvitit dhe po udhëtonin në një automjet luksoz “Range Rover”, që ndoqej nga një tjetër makinë, brenda të cilës ishin gratë e fëmijët e tyre, kur u sulmuan nga një breshëri kallashnikovi.

Në kërkim për masakrën me tre viktima është shpallur Mikale Qosja, i cili dyshohet se është një nga ekzekutorët dhe fshihet në Dubai. Por në atentat dyshohej të ishte përfshirë edhe famëkeqi Talo Çela, emri i të cilit është përmendur në grabitjen e Rinasit dhe për shumë vrasje të tjera në vend. Nga marrja në pyetje që i është bërë në Komisariatin e Elbasanit, ku ka pretenduar se s’ka pasur gisht me ngjarjen e ndodhur dhe se ka qenë në shtëpi natën e ngjarjes, por për Erion Alibejn nuk ishte i besueshëm ky version. Ndaj ai i vrau të vëllanë. Erion Alibej u arrestua në shtator të vitit 2020 dhe vetëm pak javë më vonë, iu vra kunati në Belgjikë, Ardit (Arjan) Spahiu. Edhe pas kësaj vrasjeje, dyshohet se fshihet Mikael Qosja.