Shantazhi seksual, si i ndryshoi thëniet Raviola Lila
Një nga të arrestuarit për shantazhin 100 mijë euro ndaj një biznesmeni, Ervin Gjana, ka mohuar akuzën, duke pohuar se gjithçka ka ardhur nga xhelozia mes tij dhe Raviola Lilës, juristja 24-vjeçare. Ai ka thënë se me nënën e një fëmije tre vjeç ka një lidhje intime prej disa kohësh dhe ishte bërë xheloz në momentin që e kishte parë në shoqërinë e Juliandit. “U bëra shumë xheloz, kur e pashë me biznesmenin, në një makinë. E kisha paralajmëruar Raviolën për pasojat që do të kishte nëse më tradhtonte. M’u errësuan sytë, prandaj e kërcënova atë dhe Juliandin. Nuk kam pasur asnjë qëllim tjetër”, mësohet se ka deklaruar Gjana, para oficerëve të policisë gjyqësore. I riu ka pohuar se Raviolën me biznesmenin i kishte parë dy herë. Fillimisht i ka parë në shoqërinë e njëri-tjetrit në zonën e Kombinatit dhe më pas në makinë, ku dhe është futur me një kaçavidë për t’i kërcënuar. “Kisha dyshime se Raviola më tradhtonte dhe vendosa ta ndjek. Më thanë se kishte shkuar jashtë Tiranës. Më përshkruan mjetin. I gjeta të dy sapo kishin dalë nga një objekt, nuk mund të them me saktësi se çfarë ka qenë, hotel apo restorant. Në momentin që u futën në automjet, kam vrapuar dhe i kam zënë mat. E kam kërcënuar Raviolën se çfarë ishte e gjithë kjo dhe nuk shpëtonte paq me mua. Më pas i jam drejtuar në gjaknxehtësi e sipër personit tjetër, që më vonë e mora vesh se ishte biznesmen. U thash se kjo ngjarje nuk mbaronte këtu”, ka thënë ia arrestuari para policisë, fraza të cilat i ka konfirmuar edhe para gjykatës, për vlerësimin e masës së sigurisë. Më pas, ai ka kërcënuar me jetë Juliandin, ndërsa është pyetur edhe për gjobën 100 mijë euro. “Nuk është e vërtetë se i kam kërkuar 100 mijë euro. Madje, ka qenë Juliandi ai që ka tentuar të më japë para për të mbyllur këtë muhabet, pasi unë isha nxehur shumë. Ai më tha se do të më jepte shuma të konsiderueshme në euro, nëse unë nuk do të flisja për atë që pashë”, mësohet se ka deklaruar Ervini, ndryshe nga rrëfimi i parë i Raviolës në Policinë e Tiranës, pasditen e 22 nëntorit, e cila ka treguar të gjithë planin e dy të rinjve nga Bulqiza për të shantazhuar dhe kërcënuar biznesmenin.
Në rrëfimin para OPGJ-ve, në prani edhe të një avokati kryesisht, Raviola ka pohuar në polici se është futur në lojë nga Ervin Gjana dhe Altin Dardha, ndërsa pohoi se djemtë i kishin kërkuar që të filmonte edhe skenat e seksit me biznesmenin. Tha se ka pasur tri takime me Juliandin. Herën e parë ai e ka shoqëruar në shtëpi, në të dytën kanë pirë kafe në lokal dhe në të tretën kanë qenë në periferi të Tiranës, ku Raviola ka pohuar se ishte hotel, ndërsa biznesmeni tha se ishte restorant. Gjithsesi, me lot në sy, dhe duke bërë një pakt me policinë, Raviola kishte marrë garancinë se do të qëndronte në shtëpi, nëse tregonte gjithçka. Dhe kështu ka bërë, duke firmosur edhe deklarimet. Megjithatë, dy ditë më pas, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, duke menduar se i shpëtoi burgut, ndryshon thëniet, në mënyrë që të shuante konfliktin me Altinin dhe Ervinin. Ka pohuar se i vjen keq për të gjithë këtë situatë dhe se ka qenë e gjitha për xhelozi ndaj Ervin Gjanës, me të cilin kishte edhe një lidhje. Më pas, prokurori, i befasuar nga kjo deklaratë, kur në dokumente shkruhej se e kishte pranuar akuzën, madje duke shpjeguar me hollësi ndodhitë, kërkoi masë arresti me burg, që u pranua nga gjykata. Tashmë, nëna e një fëmijë tre vjeç, do të qëndrojë, të paktën deri sa të dalë në Gjykatën e Apelit, në burg, së bashku me tre bashkëpunëtorët e saj, që tentuan t’i merrnin një biznesmeni 100 mijë euro, duke e shantazhuar. s.ç