Ervin Mata, i njohur me nofkën “Boli”, ka tentuar për herë të dytë të kundërshtojë ekstradimin e tij nga Brazili drejt Shqipërisë, gjashtë muaj pas arrestimit. Ai i është drejtuar Gjykatës Supreme të Brazilit, por kjo e fundit ka refuzuar të shqyrtojë ankimin e paraqitur nga mbrojtja e tij.

Sipas raportimeve, vendimi është marrë më 20 tetor, nën drejtimin e trupit gjykues me relator ministrin Alexandre de Moraes. Gjykata ka vlerësuar se avokatët nuk kanë paraqitur argumente të mjaftueshme për të vënë në pikëpyetje vendimin e mëparshëm, me të cilin në mesin e shtatorit u miratua kërkesa e Shqipërisë për ekstradimin e Matës.

Mbrojtja e tij kishte ngritur pretendime që lidhen me kërkesën për azil në Brazil, një hetim policor në këtë shtet, si dhe me kompetencën juridiksionale të autoriteteve shqiptare.

Me rrëzimin e ankimit të dytë, duket se është mbyllur faza e kundërshtimeve gjyqësore të trajtuara deri më tani. Megjithatë, dorëzimi i Ervin Matës në Shqipëri mbetet i lidhur edhe me përmbushjen e procedurave të tjera të kërkuara nga autoritetet braziliane. Vendimi përfundimtar nuk varet vetëm nga procesi gjyqësor, por edhe nga vlerësimi i Presidentit të Brazilit.

Kush është Ervin Mata?

Ervin Mata është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, i cili prej vitesh është përmendur në hetime që lidhen me krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve. Ai u bë i njohur për publikun edhe pas ngjarjes së rëndë të vitit 2018 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku një përplasje me armë mes grupeve rivale kriminale i mori jetën Fabian Gaxhës.

Sipas hetimeve të SPAK, Mata dyshohet të ketë pasur rol organizues në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës, me shtrirje nga Amerika e Jugut drejt Shqipërisë dhe disa vendeve të Bashkimit Europian.

Ai u shpall në kërkim në nëntor të vitit 2023, pas lëshimit të 11 urdhër-arresteve nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të një hetimi për një grup kriminal të dyshuar për trafikimin e kokainës dhe hashashit, vrasje dhe pastrim parash.

Në fillim të vitit 2023, disa media raportuan se Mata ishte zhdukur në Bolivi, duke ngritur dyshime për fatin e tij. Megjithatë, hetimet dhe komunikimet e siguruara nga autoritetet europiane, përfshirë bisedat në platformën e enkriptuar SKY, ndihmuan në zbardhjen e lidhjeve të tij të dyshuara me persona të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal.

Mata dyshohet gjithashtu të ketë pasur komunikime të vazhdueshme me anëtarë të një grupi ku përfshihej edhe djali i ish-zëvendësdrejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.

Publikimi i një videoje të tij gjatë periudhës së arratisë kishte hedhur poshtë pretendimet se biznesmeni ishte zhdukur pa lënë gjurmë në Bolivi. Tashmë, pas vendimeve të marra nga drejtësia braziliane, pritet të shihet nëse do të përmbushen procedurat e mbetura për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.