Ervin Salianji ka paralajmëruar se do të kandidojë për kryetar të Partia Demokratike, duke deklaruar se do të depozitojë kërkesën zyrtare ditën e nesërme. Përmes një reagimi në Facebook, Salianji u shpreh kritik ndaj procesit brenda partisë, të cilin e cilësoi si “farsë” dhe shkelje të rregullave demokratike.

Ai theksoi se mbetet i frymëzuar nga modeli i demokracisë perëndimore dhe se do të vijojë betejën për demokratizimin e Partisë Demokratike. Ditën e sotme, PD hapi garën për kreun e ri të partisë, megjithatë i la afat kandidatëve përballë Berishës, vetëm 1 ditë kohë të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për zgjedhjet e 23 majit.

Postimi i Salianjit në Facebook:

“Dielli lind andej nga perëndon” na mëson Naim Frashëri.

Drita, përparimi, qytetërimi dhe demokracia vijnë nga Perëndimi. Prandaj shqiptarët e kanë vendosur që dijen dhe kulturën e marrin nga bota e përparuar. Modeli i demokracisë perëndimore më frymëzon dhe nuk do të ndalem në luftën për të lënë pas të shkuarën e për ta demokratizuar Partinë Demokratike.

Ironi e fortë: në ditën kur shpallet uzurpimi dhe shkallmimi i rregullave demokratike, ndodhem aty ku lindi Magna Carta, në tempullin të demokracisë. Pavarësisht farsës, nesër depozitoj kërkesën për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë.