Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka vizituar në banesën e tyre, prindërit e Martin Canit, 14-vjeçarit që u vra nga bashkëmoshatari i tij në ambientet jashtë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”.

Në një mesazh në rrjetin social facebook, Salianji shkruan se ngjarje të tilla nuk duhet të harrohen kurrë, sepse janë kambanë alarmi për të gjithë ne.

“Sot isha për vizitë tek prindërit e mrekullueshëm të Martin Canit, për të nderuar kujtimin e tij dhe për të ndarë dhimbjen e tyre.

Por kjo nuk mjafton. Institucionet kanë detyrimin të nxjerrin përgjegjësit, të mos fshehin fajet pas justifikimeve dhe paralelisht të ndërmarrin masa të qarta: ristrukturim të sigurisë në shkolla, praninë e psikologëve e punonjësve socialë në çdo institucion arsimor, dhe programe edukimi që parandalojnë dhunën mes të rinjve.

Shkolla duhet të jetë vendi ku fëmijët tanë rriten, mësojnë dhe ëndërrojnë të qetë – jo një vend ku rrezikojnë jetën. Kujtimi i Martin Canit duhet të shërbejë si thirrje për veprim, që të mos përsëriten më tragjedi të tilla”, shkruan ish-deputeti Ervin Salianji.