Presidenti çek, Petr Pavel, i bëri thirrje NATO-s që “të tregojë dhëmbët” në përgjigje të testimit të përsëritur që Rusia po i bën vendosmërisë së aleancës në krahun e saj lindor.

Ai sugjeroi një sërë mundësish përfshirë ndërprerjen e internetit të saj, shkëputjen e bankave ruse nga sistemet financiare globale dhe rrëzimin e avionëve që shkelin hapësirën ajrore të aleatëve. Duke folur për The Guardian në Pragë, Pavel apeloi për një përgjigje “të vendosur e ndoshta edhe asimetrike” për të kundërshtuar sjelljen provokuese të Moskës ndaj aleancës. Në të kundërt, insistoi Pavel, Kremlini rrezikon që t’i përshkallëzojë veprimet e tij.

Gjenerali në pension, njëherazi ish-kryetar i komitetit ushtarak të NATO-s, ka një profil të rrallë mbrojtjeje mes liderëve evropianë. Përvoja e tij shumëvjecare në komunikimet me Moskën në kuadër të këshillit tashmë të pezulluar NATO-Rusi e kanë kthyer në një zë me shumë ndikim lidhur me të ardhmen e aleancës dhe kërcënimet me të cilat ajo përballet.

64 vjeçari zhgënjim lidhur me “mungesën e vendosmërisë për të vazhduar presionin nga Shtetet e Bashkuara ndaj Rusisë”, megjithëse i shmangu kritikat e drejtpërdrejta ndaj Donald Trump, pavarësisht se presidenti amerikan vazhdon të hedhë dyshime mbi të ardhmen e angazhimeve të Uashingtonit ndaj aleancës. Pavel tha se liderët ushtarakë rusë qeshnin ndonjëherë me paralizën e vendimmarrjes së NATO-s.

“Kur i pyeta pse i bëjnë këto veprime provokuese në ajër, afrime të rrezikshme ose fluturime mbi anije luftarake në Detin e Zi apo Detin Baltik, përgjigjja e tyre ishte: ‘sepse ne mundemi’. Sepse pikërisht ju e keni lejuar këtë sjellje”, u shpreh ai.