Partia Demokratike kërkoi sot të hiqet nga rendi i ditës pika për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke e akuzuar mazhorancën për tentativë të kapjes së këtij institucioni përmes kandidaturës së Endrit Shabanit.
Nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së, Belind Këllicci, theksoi se opozita mbështet dy kandidatë për këtë pozicion: Besim Ndregjoni dhe Adriana Kalaja.
“Në 5 dhjetor ju jeni njoftuar për tërheqjen e gjithë firmave të deputetëve të PD për kandidaturat që janë paraqitur për Avokat të Popullit. Në listë ndodhet edhe lepuri i Surrelit, Endrit Shabani, i cili po çon deri në fund skenarin e maxhorancës që avokatin e Popullit do ta marrë PS-ja. Që të jemi të qartë, qëndrimi ynë është i prerë, asnjë nga 26 kandidatët për Avokat nuk i ka firmat e deputetëve të PD-së për të garuar”, tha Këlliçi.
