Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka folur për herë të parë në lidhje me lëvizjen që duket se ka nisur brenda Partisë Demokratike. Në një intervistë, Salianji u shpreh se qëllimi i tij nuk ëhstë të marrë drejtimin e partisë, por kërkon vetëm përmirësimin e partisë.

“Unë synoj përmirësimin e PD. Ky nuk është momenti që kushdo të shfaqë ambicie. Madje është momenti që ndonjëri edhe mund të tërhiqet nga ambiciet për të bashkuar partinë. Por nuk mund të bëjmë sikur problemet nuk ekzistojnë. Unë kam interes që PD të vijë në pushtet”, tha Salianji.

Salianji kritikoi qasjen e PD për të organizuar foltore çdo të hënë përpara Kryeministrisë dhe shtoi se duhet revoltë për të rrëzuar qeverinë socialiste.

“A e rrëzojmë dot Edi Ramën duke i vajtur poshtë zyrës me muzikë? Foltorja para Kryeministrisë është forma jo e duhur. Nuk rrëzohet Edi Rama me muzikë poshtë zyrës”, tha Salianji.