Deputeti Xhelal Mziu ishte i ftuar sot në emisionin “Breaking” ku foli për shpërthimin me tritol në banesën e tij, disa javë më parë.

Ai e cilësoi ngjarjen të rëndë, teksa tha se nuk ka konflikt me asnjë person dhe dyshon se është një sulm me prapavijë politike. Ai akuzoi po ashtu policinë dhe Ministrinë e Brendshme për mos reagim dhe mosveprim mbi ngjarjen.

“Nuk ishte vilë po shtëpi dy-katshe. Në Bathore ku u në jetoj do gjeni shtëpi më të mira dhe se ajo e mija. Nuk gjej asnjë arsye se përse mund të ketë ndodhur pasi nuk kam asnjë konflikt, as unë e as familjarë të mitë. Policia ka patur kohën e nevojshme për të gjetur shkaqet, por nuk ka dhënë asnjë informacion që pas regjistrimi të akuzës ditën e ngjarjes.

Mendoj se është sulm me prapavijë politike. Kjo mazhorancë këto mjete përdor, o të dërgon prokurorinë, ose të vendos tritol. Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë. Të vendoset tritol në banesën e një deputeti dhe të mos ketë reagim as nga policia, as nga ministri i Brendshëm, apo eksponentë të tjerë. Kur heshtin ndaj një personi të tillë imagjino çfarë ndodh me një qytetar të thjeshtë. Përderisa nuk kam konflikt me asnjë person, nuk kam pse të kem frikë apo t’i druhem askujt. Janë thjesht inskenime politike.”- tha Mziu.