25-vjeçarja Xhuana Nikollaj, e cila dyshohet se i dha fund jetës pas dhunës së ushtruar nga ish-partneri i saj, vijon të mbetet në qendër të vëmendjes publike dhe hetimeve.

Dy muaj pas ngjarjes tragjike, motra e saj, Silvana Nikollaj, ka dërguar një letër prekëse ekskluzivisht për gazetaren Semiljana Azizi në emisionin “Në Kohë Reale”, ku kërkon drejtësi dhe transparencë nga institucionet.

Në mesazhin e saj, Silvana shpreh dhimbjen e familjes për humbjen e Xhuanës, duke theksuar se prindërit e tyre janë shkatërruar nga kjo tragjedi.

Familja kërkon që hetimet të zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe apelon që ish-partneri i saj, Eraldo Fizi, të arrestohet sa më shpejt dhe të përballet me drejtësinë për dhunën e pretenduar ndaj 25-vjeçares.

Letra e plotë e motrës së Xhuanës:

“Për ne si familje, humbja e Xhuanës është një dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë. Po mundohemi të qëndrojmë të fortë për njëri-tjetrin, por është shumë e vështirë sidomos për prindërit tanë, të cilëve u është shkatërruar jeta.

Sa i përket hetimeve, ne kemi ende shumë pyetje pa përgjigje dhe presim nga organet kompetente më shumë transparencë, veprime konkrete dhe zbardhjen e plotë të së vërtetës. Kërkojmë që autori Eraldo Fizi të kapet sa më shpejt dhe të përballet me ligjin për dhunën e ushtruar ndaj Xhuanës.

Për ne, rëndësi ka që institucionet të bëjnë detyrën e tyre dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi.

Apeli ynë për shoqërinë, mediat dhe Policinë e Shtetit është të mos lejojnë që rasti i Xhuanës të harrohet. Kërkojmë mbështetje, zë dhe drejtësi, sepse sot Xhuana nuk jeton më dhe familja jonë kërkon vetëm të vërtetën”.