I ftuar në emisionin Breaking në Top News ishte deputeti i PD Luçiano Boçi. Ai foli rreth seancës në Kuvend e cila një ditë më parë u shkëput nga një kaos i shkaktuar na deputetë të PD ku hodhën Kushtetutën dhe shishe uji drejt kryeministrit Rama.
Boçi i cilësoi akuzat për dhunë si të turpshme dhe theksoi se veprimet e opozitës janë pasojë e mohimit të të drejtave kushtetuese dhe parlamentare.
“Ta quash dhunë atë që ndodhi, është turp dhe skandal. Pse impresionoheni nga hedhja e Kushtetutës? Ajo Kushtetutë është shkelur prej kohësh. Sot është bërë lajm hedhja e Kushtetutës, ndërkohë që ajo është përdhosur vazhdimisht në praktikë.
Nuk është paraqitur programi qeverisës, dhe ne kemi kërkesë zyrtare për të rrëzuar pretendimet për dhunë. Ne kemi kërkuar përsëritje të seancës dhe që të paraqitet programi siç e kërkon Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit.
Ky është qëndrimi opozitar që do të vazhdojmë të mbajmë, sepse kjo është e vetmja formë që na ka mbetur. Kur i hiqet fjala opozitës, kur i ndërpritet e drejta për të folur, atëherë si mund ta quani ndryshe këtë?
Ne kërkojmë që të na lejohet të ushtrojmë rolin tonë si opozitë. Si faktor i rëndësishëm në jetën parlamentare, opozita duhet të ketë hapësirën kushtetuese për të shprehur qëndrimet e saj. Është publiku ai që gjykon.
Nëse mazhoranca do të zbatonte rregulloren, sot do të ishim duke zhvilluar një seancë normale, me debat dhe me transparencë, siç i ka hije një demokracie parlamentare.”,tha deputeti.