Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet e nisura në Spanjë për zhdukjen e Miklovan Dakajt, të riut nga Shkodra i cili rezulton i humbur prej 12 majit të këtij viti.
Emisioni “Në Shënjestër” në News24, transmeton se në dosjen hetimore për këtë ngjarje, është dëshmia e gruas dhe babait të Miklovanit të cilët tregojnë se sihariqi i hidhur u erdhi atyre vetëm disa ditë pasi ata kishin kallëzuar në polici humbjen e njeriut të tyre, nga një korrier që mesa duket po u përcillte mesazhin e personave të cilët kishin gisht në zhdukjen e papritur të Miklovanit.
“Miklovani është vrarë, mos e kërkoni”, mësohet të ketë thënë korrieri.
“Jam paraqitur në komisariat për të kallëzuar humbjen e djalit tim Miklovan Dakaj. Më datë 13 maj 2025 rreth orës 10:00 paradite, nusja e djalit tim që ndodhet në Spanjë bashkë me vajzën, ka marrë në telefon bashkëshorten time dhe i ka thënë se Miklovani nuk është kthyer në shtëpinë ku rrinin në qytezën e Marbellos, në Malaga, Spanjë”, ka dëshmuar Pal Dakaj, babai i 34-vjeçarit Miklovan Dakaj.




