Elbasan


Herën e dytë, kur mjeti ka pësuar defekt, duke dalë jashtë kontrollit, kreu i shtetit ishte i pranishëm


Defekti


Mjeti i zyrës së shtypit ka dalë jashtë kontrollit, duke u përplasur në bordurën anësore të rrugës në Mirakë të Librazhdit


Eskorta e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, është përfshirë në një tjetër aksident, pas atij ku mbeti i vrarë një oficer garde dhe u plagos rëndë një tjetër, por këtë radhë, fatmirësisht nuk ka pasur pasoja në njerëz. Aksidenti ka ndodhur sërish në Qarkun e Elbasanit, ndërkohë që ndryshe nga aksidenti i parë, makina e përplasur ndodhej e parafundit në eskortën e Presidentit Nishani. Burimet policore nga njësia rrugore e Elbasanit thanë se pas aksidentit rrugor të njësisë së avancës për eskortën e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, ku humbi jetën efektivi i gardës, Arben Zhuzhi, 37 vjeç, dhe mbeti i plagosur kolegu i tij, Vilson Tabaku, një tjetër ngjarje e pazakontë ka ndodhur. Në aksin internacional Elbasan-Maqedoni, pranë zonës së quajtur Mirakë, eskorta e Nishanit ka shpëtuar mrekullisht vetëm disa orë pas humbjes së jetës së Zhuzhit. Burime të besueshme bëjnë me dije se mjeti që udhëtonte zyra e shtypit të Presidentit, ka pësuar një defekt teknik, e për pasojë ka humbur kontrollin, duke stimuluar një aksident të dytë. Drejtuesi ka frenuar menjëherë, ndërkohë që mjeti ka bërë rrotullim në rrugë, duke ndaluar te bordurat anësore të rrugës. Fatmirësisht asnjë prej pasagjerëve nuk është dëmtuar. Policia shtoi më tej se pas ngjarjes ka ardhur një tjetër makinë, për të shoqëruar grupin e medias në Ohër të Maqedonisë, të cilët do të ndiqnin takimin zyrtar që Bujar Nishani pati me homologun e tij. Ngjarjet e pazakonta kanë ndodhur më 14 shtator të këtij viti. Aksidenti i parë ndodhi në Lolaj të Peqinit, ku Zhuzhi dhe Tabaku ishin nisur rreth 30 minuta para eskortës së Presidentit, për të marrë masat në rritjen e sigurisë në rrugë dhe lidhjen e kontakteve me policinë lokale. Humbja e kontrollit të mjetit tip fuoristradë, me targa TR 4234 K, që drejtohej nga Zhuzhi, ka bërë që makina të dalë nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e tij dhe plagosjen e kolegut. Sipas policisë, ai nuk ka vdekur në timon, por kur ka dalë jashtë mjetit, ka rënë pa ndjenja për shkak të hemorragjisë së brendshme. Disa orë pas aksidentit fatal, në aksidentin e dytë, presidenti ka qenë prezent. S. Muça